Kur’ani libër që nuk e djeg zjarri
Iniciativa për djegien e Kur`anit e ngritur nga një “prift” amerikan me pretekst se ky libër nxitë urrejtje dhe mostolerancë mes njerëzve, nuk është gjë tjetër pos një veprim i një mendjelehti, i cili duke “dashur” që ta shuajë urrejtjen, ai e mbolli atë, falë mediumeve, në përmasa shumë më të gjëra.
Ky veprim nuk tregon gjë tjetër veçse urrejtje dhe mostolerancë ndaj të tjerëve që nuk mendojnë si ai dhe që kanë bindje të ndryshme prej tij. Kjo gjithsesi është brengosëse, në radhë të parë, për vetë amerikanët dhe shoqërinë e tyre, e cila njihet si shoqëri më demokratike dhe më tolerante, sidomos, sa u përket bindjeve dhe besimeve. Dhe, kështu ndodhi, kjo iniciativë në radhë të parë, u kritikua nga vetë elita udhëheqëse amerikane, por edhe nga shumë faktor të tjerë të lëmive të ndryshme të shoqërisë amerikane.
Me iniciativa të këtilla, respektivisht me djegien fizike të letrave mbi të cilat janë shkruar palët e shenjta të All-llahut xh.sh., ne muslimanët nuk duhet të provokohemi, dhe aq më pak të rebelohemi, nga se kjo nuk është cilësi e besimtarëve të vërtetë, dhe në këtë drejtim ne e kemi të qartë se Kur`ani është libër i shpallur hyjnor, që do të thotë se zhdukja e tij nuk varët nga krijesat e pafuqishme, (siç është edhe njeriu) dhe se atë nuk mund ta asgjësojë zjarri e as ndonjë mjet tjetër, nga se mbrojtja dhe ruajtja e tij është e garantuar nga vetë autori i tij, All-llahu xh.sh., gjë e cila nuk është garantuar për mbrojtjen e shpalljeve hyjnore paraprake.
Ai në Kur`an thotë: “Ne e kemi zbritur Kur`anin dhe vërtetë ne e mbrojmë atë”.
Ndërkaq, neve muslimanëve po ky Kur`an, na i tregon formulat e përsosura që fare nuk nxisin dhe nuk mbjellin urrejtje dhe mostolerancë me fetë, respektivisht me besimtarët e feve tjera. Këtij raporti, Kur`ani i përkushtohet edhe me një sure, e cila është emëruar me emrin “El-Kafirun”, në ajetin e fundit të së cilës thuhet: “Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time”.
Siç është i informuar opinioni, sivjet Kur`ani mbushi njëmijë e katërqind vjet nga shpallja e tij. Ai sot është libër më i lexuar në botë, i përkthyer gati në të gjitha gjuhët relevante.
Vetë Kur`ani është një mrekulli hyjnore, përmbajtja e tij ka vlerë universale, nuk kufizohet në kohë dhe në vend. Udhëzimet e tij u përkasin të gjithë njerëzve, pavarësisht përkatësinë e tyre etnike, racore dhe gjinore.
Në fund, për të gjithë ata që ende nuk ia dinë vlerën Kur`anit dhe nuk e kanë kuptuar porosinë e tij, e lusim All-llahun xh.sh. që t`i largojë perdet nga sytë e tyre që të mund ta lexojnë Kur`anin me sytë e zemrës dhe shpirtit që të mund të udhëzohen në rrugën e vërtetë.
Q. Osmani
Hëna e Re 231